Rusia të mos e përdorë ligjin për kufizimin e lirisë së medieve

Rusia të mos e përdorë ligjin për kufizimin e lirisë së medieve

Departamenti amerikan i shtetit ka thënë se ligji i ri, i cili ia mundëson Ministrisë së drejtësisë së Rusisë, që t’i kategorizoj mediet e jashtme si “agjentë të jashtëm” paraqet kërcënim për lirinë e medieve dhe ka kërkuar nga Moska që këtë masë të mos e përdorë për ta ashpërsuar kontrollin ndaj medieve.

“Liria e fjalës së lirë, përfshirë të shprehurit dhe mediet, të cilat qeveria mund të gjejë se janë të papërshtatshme, është e drejtë universale e njeriut e obliguar, të cilën Rusia ka shprehur përkushtim për ta mbajtur”, ka thënë mbrëmë vonë, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert.

“Zgjerimi i Ligjit për Agjentët e Jashtëm, me përfshirjen e medieve, e hapë derën për kërkesa të vështira, të cilat e ngushtojnë më tutje lirinë e të shprehurit dhe pavarësinë editoriale në Rusi”, ka thënë Nauert.

Legjislacioni i ri për media, i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 25 nëntor, i mundëson Kremlinit të kërkojë që mediet e jashtme t’i zbulojnë burimet e fondeve dhe lajmet që i publikojnë për rusët, t’i karakterizojnë si punë e “agjentëve të jashtëm”.