Sa paguajnë tatime këngëtarët kosovarë – Flasin nga ATK

Sa paguajnë tatime këngëtarët kosovarë – Flasin nga ATK

Përkundër faktit se përfitojnë shuma marramendëse vetëm për një natë, këngëtarët kosovarë nuk po ia dalin që të paktën tatimin ndaj shtetit ta paguajnë.

Prej tyre, vetëm 478 këngëtarë i kanë paguar tatim shtetit të Kosovës deri më tani..

Ndërkohë, vlera e grumbulluar e parave nga ta te shteti është në norma minimale, pasi ATK-ja prej tyre ka grumbulluar vetëm 221 mijë e 504 euro, vetëm nga janari deri në gushtin e këtij viti.

Ndërsa, gjatë vitit 2018, shteti kishte arkëtuar nga këngëtarët të hyra në arkën e tij, në vlerën e 704 mijë e 136 eurove.

“Për vitin 2018 kemi pas të hyra nga kategoria e këngëtarëve/ muzicienteve 704,136 euro, ndërsa, për periudhën Janar-Gusht 2019 kjo kategori e tatimpaguesve kanë deklaruar dhe paguar 221,504 euro. Numri i përgjithshëm i tatimpaguesve të kësaj kategorie për këto dy vite është rreth 478. Duhet të kemi parasysh se në këtë numër hynë jo vetëm këngëtarët-por edhe tatimpagues e tjerë të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjet e Zëdhënëses së Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, drejtuar Buletinit Ekonomik.

Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, të gjithë personat fizik dhe juridik, me theks të veçantë edhe profesionistët e kulturës, siç janë këngëtarët, janë të obliguar që të hyrat e tyre t’i ndajnë me shtetin, e në rast të mospagimit, sipas ATK-së, ajo i ndëshkon sipas ligjit, bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë. Ndëshkimet ndaj tatimpaguesve që nuk paguajnë tatimin e krijuar në ATK, në këtë rast ndaj këngëtarëve, sipas Administratës Tatimore të Kosovës variojnë nga bllokimi i llogarive bankare, ndalesat në kufi, si dhe konfiskimi i pasurisë së tyre.

Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime nga ATK-ja edhe rreth numrit të këngëtarëve borxhlinj ndaj ATK-së dhe se sa është shuma e borxhit total të këngëtarëve ndaj tyre, mirëpo ata nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje rreth kësaj çështjeje.