Sa shpenzojnë për pushime shqiptarët në krahasim me të huajt?

Sa shpenzojnë për pushime shqiptarët në krahasim me të huajt?

Jemi afër sezonit të verës, të gjithë fillojmë të mendojmë për pushimet? Por si janë pushimet e të shqiptarëve në krahasim me të huajt?

Turistët e huaj shpenzojnë mesatarisht 52 euro në ditë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Publikimi i fundit i Institutit të Statistikave për sektorin e turizmit gjatë vitit 2018 tregon se mesatarja e netëve të qëndrimit ishte 4.3 ditë.

Nëse shohim raportin e netëve të qëndrimit sipas shtetësisë rezulton se turistët italianë janë ata që kanë pushime më “të gjata” në Shqipëri. Kështu mesatarisht italianët kanë 6.8 ditë qëndrimi. Ata kanë edhe shpenzimet më të larta ditore me 81 euro për person. Dy grupe të tjera si shtetasit nga Mali i Zi apo nga Greqia kanë mesataren e netëve të qëndrimit 3.7 dhe 3.6 ditë ndërsa shpenzojnë mesatarisht 60 dhe 59 euro për person në ditë.

Shtetasit nga Kosova kanë një mesatare qëndrimi prej 3.8 ditë dhe shpenzojnë 43 euro për person kurse maqedonasit qëndrojnë 3.9 ditë mesatarisht duke shpenzuar 46 euro për person në ditë.

Po përsa i përket shqiptarëve që pushojnë jashtë vendit?

Shtetasit shqiptarë rezidentë, referuar të dhënave të vitit 2018 nga INSTAT, kanë kaluar mesatarisht 7.5 netë qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 Euro në ditë. Destinacioni i preferuar i shqiptarëve për pushime në vitin 2018 rezulton Greqia.