Sahatqija: Presim nga institucionet t’i kundërshtojnë fuqishëm “non-paper”-at

Sahatqija: Presim nga institucionet t’i kundërshtojnë fuqishëm “non-paper”-at

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, deklaroi të enjten se institucionet duhet t’i kundërshtojnë fuqishëm “non paper”-at të cilat janë publikuar së fundi, njëri prej të cilëve flet për bashkimin Kosovë-Shqipëri, e tjetri për marrëveshjen Kosovë-Serbi, njofton Insajderi.

Para mediave, Sahatqija tha se këto jo-dokumente janë rrezikojnë kushtetutshmërinë e vendit.

“Njëri prej tyre flet për rikonfigurimin e Ballkanit dhe tjetri e kthen Kosovën në kohën para pavarësisë. Ne duhet fuqishëm ta kundërshtojmë dhe të mos lejohet që tezat aty të bëhen pjesë e negocimit. Duhet Kosova të ketë një rol sa më aktiv”, theksoi ajo.

Sa i përket dialogut, Sahatqija potencoi se ky proces duhet të merret me përkushtim më të madh për sigurimin e paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon.

Në raport me këtë proces, ai shtoi se LDK-ja do të luajë rol konstruktiv.

“LDK-ja do ta luajë rolin e saj që dialogu të përfundojë suksesshëm. Dialogu të bazohet në parimin e transparencës ashtu siç kërkohet, e dyta është vendosja e parimeve bazë sado që e dimë që Qeveria nuk mund të del me një platformë, por të ketë parime. Dialogu me Kosovën është dialog i partnerëve te barabartë që sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Asnjë dialog i ardhshëm nuk duhet të diskutojë dhe cenojë integritetin tonë”, pohoi Sahatqija./Insajderi.com