Salih Mustafa nesër del para gjykatësit në Hagë

Salih Mustafa nesër del para gjykatësit në Hagë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nesër do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për Krime Lufte të UÇK-së.

Seanca dëgjimore për rastin e tij do të mbahet nesër në orën 15:00.

Mustafa ka refuzuar të deklarohet në paraqitjen e tij publike para gjykatës më 28 shtator të këtij viti si dhe në paraqitjen tjetër më 5 tetor.

Sipas rregullave të procedurës së gjykatës ai ka afat 30 ditë nga paraqitja e tij e parë para gjykatës të pranojë fajësinë ose jo, ndërsa afati i fundit përfundon nesër.

Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash, ku operonte një qendër burgimi.

Mustafa, i njohur si Cali, ishte arrestuar dhe ekstraduar në Hagë më 24 shtator me urdhër të gjykatës pasi aktakuza ishte konfirmuar. /Insajderi.com