Të premten, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka marrë vendim për të falur të dënuarit për vrasjen e 5 anëtarëve të familjes Hajra, në mesin e të cilëve edhe tre fëmijë. Për vrasjen e kryer në vitin 2001, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që me dekret t’ua falë dënimin vëllezërve Arsim dhe Burim Ramadani, si dhe Arben Kiqinës. Por, profesori i së Drejtës Penale Ismet Salihu thotë se ky rast është shumë i rëndë për t’i falur të dënuarit.
Ismet Salihu, ish-anëtar i Komisionit për faljen e të burgosurve ka thënë se veprat penale si vrasjet e rënda nuk mund të bëhet falja, duke thënë se krimi për të cilin janë dënuar vëllezërit Ramadani dhe Kiqina është jashtëzakonisht i rëndë për t’u falur.
“Për krime kundër rendit kushtetues, por edhe për krime të rënda zakonisht nuk praktikohet falja. Rasti i familjes Hajra ka qenë një krim i jashtëzakonshëm, Vëllezërit Kiqina dhe Ramadani kanë dalë disa herë në opinion duke thënë se janë të pafajshëm, por këtë duhet ta dëshmoj drejtësia”, ka shtuar Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu.
Neni 5 i ligjit për faljen, përcakton kriteret dhe rrethanat mbi të cilat bazohet falja, ku kriter i parë është pesha e krimit të kryer nga i burgosuri që ka kërkuar të falet.
“1. Kriteret të cilat shqyrtohen gjatë marrjes së vendimit mbi Faljen caktohen nga Presidenti në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi.
- Rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:
2.1. pesha e krimit;
2.2. rreziku i recidivizmit;
2.3. pendimi i sinqertë;
2.4. shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm.”, thuhet shprehimisht në këtë nen.
Më 20 gusht 2001, Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradija, i biri Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Pranvera kishin mbetur të vrarë në një rrugë në mes të fshatit Baicë dhe Tërstenik në Komunën e Drenasit, gjersa po ktheheshin nga një dasmë në shtëpinë e tyre në Gllogovc (Drenas), thuhet në aktgjykim e këtij rasti
Burim e Arsim Ramadani dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqina ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e tyre.
Rasti ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e të gjitha gjykatave të vendit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Profesor Salihu ka shpjeguar se kërkesën për falje mund ta bëjë secili i burgosur, por ato fillimisht i shqyrton Komisioni i krijuar për këtë çështje, dhe propozimet e tyre i shkojnë presidentit.
“Është një procedurë aty që paraprakisht formohet një grup i ekspertëve prej 6 vetave, kam marrë pjesë edhe unë disa herë, ata i studiojnë të gjitha lëndët, e marrim mendimin e institucionit ku janë duke e mbajtur dënimin, pra burgut, edhe të gjykatës, dhe mandej e analizojnë gjithë sjelljen e secilit, sa është dënuar, sa pjesë të dënimit ka mbajt, sidomos si është sjellë gjatë mbajtjes së dënimit dhe si do të pranohet ai në rreth etj. Ky grup i ekspertëve ia dërgon Presidentit dhe ai nuk është i detyruar, po zakonisht e merr parasysh mendimin e këtij grupi punues, edhe mandej ai vendos për me fal prej 300 ose 400 personave, 30 a 50 a 3 a, varet nga ai. Pasi ta nënshkruan vendimin veç e veç, për çdo njeri me emër e mbiemër, atëherë shpallet në Gazetë Zyrtare dhe bëhet publike, dhe njoftohet shërbimi korrektues dhe opinioni”, ka shpjeguar Salihu për Gazetën Express
Ndryshe Salihu ka thënë se Institucioni i faljes duhet me qenë më i shpeshtë edhe me shumë njerëz duhet të përfshihen aty, sepse ndikon në motivim e sjelljen e të burgosurve.
“Falja nuk është e drejtë e të burgosurit, është e drejtë e shtetit, ata vetëm kanë të drejtë me kërku faljen. Përndryshe falja është një akt i mëshirës”