Salla pa deputetë – shtyhet seanca për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk ka qenë sot në ulësen e tij, dita kur ishte caktuar seancë e jashtëzakonshme për shqyrtimin e dytë të Projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Arsye e mungesës kanë qenë zhvillimet e fundit në Kosovë – të diktuara nga Gjykata Speciale. Seanca u shty për një tjetër ditë.

Salla pa deputetë – shtyhet seanca për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Seanca e jashtëzakonshme, e caktuar për sot, që kishte veç një pikë të rendit të ditës – shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk është mbajtur sot për shkak të mungesës së kuorumit, njofon Insajderi.

Mungesë e kuorumit në këtë rast – ndryshe nga herët e tjera – ka nënkuptuar mungesë të të gjithë deputetëve.

Asnjë nga përfaqësuesit e popullit nuk është parë në Kuvend, derisa është njoftuat se për shkak të zhvillimeve të fundit, seanca është kërkuar të shtyhet për një ditë tjetër.

Seanca është caktuar për të mërkurën e javës së ardhshme (11 nëntor) për në orën 11:00.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike kishte kaluar në lexim të parë më 12 tetor, teksa pro saj kishin votuar 64 deputetë.

Ndërsa raporti me amandamente i këtij projektligji kaloi në Komisionin parlamentar për Legjislacionin më herët gjatë ditës së sotme.