Sami Lushtaku ‘kap’ edhe një institucion- njeriun e tij e çon sekretar në Ministrinë e Inovacionit

Sami Lushtaku ‘kap’ edhe një institucion- njeriun e tij e çon sekretar në Ministrinë e Inovacionit

Një tjetër prurje nga Skenderaj në Ministrinë e Inovacionit, ishte Hajriz Koca, dikur drejtor e zëdhënës i komunës që udhëhiqej nga Sami Lushtaku.

Koca, që me Lushtakun ka edhe lidhje familjare, në Ministrinë e Inovacionit ishte angazhuar fillimisht si këshilltar politik i ministrit Besim Beqaj, raporton KTV. Por, në fund të vitit të kaluar, nga stafi politik, Koca ka kaluar në anën tjetër dhe ka zënë pozitë prej më të rëndësishmeve në ministri: atë të Sekretarit të Përgjithshëm.

Për një pozitë tjetër brenda ministrisë, atë të drejtoreshës së Departamentit të Inovacionit, si kandidatja më e suksesshme ka dalë Laura Perjuci-Zherka, dikur kandidate për deputete e asamblistte e PDK-së.

Në Ministrinë e Inovacionit insistojnë se procedurat e rekrutimit për këto dy pozita kanë qenë në përputhje me legjislacionin ne fuqi.

“Besoj shumë që janë në përputhje dhe në harmoni me krejt procedurat, për të gjitha pretendimet e tjera unë nuk mundem me u deklaru’ se ish kon jashtë kompetencave të mia. Unë sinqerisht besoj se janë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Bardh Ahmeti, Shef i Kabinetit të ministrit Beqaj.

Por, në Agjencinë Kundër Korrupsion rikujtojnë se raste të tilla bien ndesh me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, saktësisht nenin 18 të tij, i cili përcakton kufizimet kohore ndërmjet lëvizjeve të tilla të zyrtarëve.

Por, përveç një situate potenciale të konfliktit të interesit, për Arton Demahasajn, një situatë e tillë e paprecedentë, mund të përbëjë edhe ushtrim ndikimi.

KTV-ja, të enjten raportoi se si në këtë ministri, në pozitën e drejtorit të Departamentit Ligjor, ishte zgjedhur një person që ishte i dënuar për korrupsion. Lulzim Kadriu, gjithashtu pjesë e PDK-së, ishte drejtor në Komunën e Skenderajt.