Samiti i kryeministrave, mblidhen në Durrës për zonën ekonomike rajonale

Samiti i kryeministrave, mblidhen në Durrës për zonën ekonomike rajonale

Vetëm 3 javë pas takimit të Podgoricës dhe 6 javë pas atij të Triestes, kryeministrat e Ballkanit Perëndimor do të takohen sërish.

Këtë herë në një takim joformal që do të zhvillohet ditën e shtunë në kompleksin e Vilave Qeveritare në Durrës. Në takim, ku do të jenë kryeministri i Kosovës në detyrë Isa Mustafa, ajo e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç si dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, do të jenë të pranishëm dhe komisioneri Johannes Hahn dhe Cyril Muller, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.

Takimi është parashikuar të nisë rreth orës 9:00, për të vijuar më pas me një konferencë të përbashkët për shtyp, rreth mesditës, ku pritet të dalin kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Johannes Hahn.

Në njoftimin e mbërritur nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë thuhet se temat kryesore që do të diskutohen do të jenë tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale.

“Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë./TCH