Samiti në Tiranë: Rama tërheq deklaratën e përbashkët – vërehen dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë

Samiti në Tiranë: Rama tërheq deklaratën e përbashkët – vërehen dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë

Deklarata e përbashkët e cila pritej të nënshkruhej nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e sotëm të mbajtur në Tiranë, është tërhequr nga nikoqiri i kësaj ngjarje, Edi Rama, njofton Insajderi.

Kjo për arsye se janë vërejtur dallime të mëdha midis Kosovës dhe Serbisë në këtë deklaratë të harmonizuar për këtë takim.

Kështu thotë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e Qeverisë Kurti, Rozafa Kelmendi.

“Deklarata është tërhequr nga nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë shkurtimisht ajo.

Pas përfundimit të këtij takimi, mediat serbe raportuan se ekziston një deklaratë që pritej të nënshkruhej nga pjesëmarrësit në takim, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që në momentin e fundit në dokument të shkruhej “Republika e Kosovës”.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve ‘Tanjug’, kjo deklaratë është harmonizuar për ditë me radhë, por miratimi i saj nuk ndodhi sot meqë nuk u miratua nga Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës u deklarua për medie pas këtij takimi, nga ku i dërgoi mesazh Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai tha se nismat rajonale hasin në pengesë për shkak se Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

“Në duam të integrohemi në BE, të integrohemi në NATO. Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është mirë vetëm për Kosovën, por është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë, e cila po mban vetën peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 vitesh, Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.

Ai konfirmoi se gjatë këtij samiti ka pasur përplasje me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq për shkak të njohjes.

“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, kryeministrja serbe tha se Samiti i Ballkanit Perëndimor ishte më i vështirë nga sa priste dhe se më shumë arsye u transferuan në fushën e politikës sesa diskutuan tema ekonomike.

Bërnabiq tutje i quajti provokime pikëpamjet e Kurtit.

Bashkimit Evropian i ka premtuar rreth 30 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor në projektet infrastrukturore, hekurudhore, të energjisë e digjitalizimit, miëpo zyrtarët e BE-së kanë kërkuar prej shteteve të Ballkanit t’i eliminojnë barrierat që ekzistojnë dhe të mundësohet liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit e shërbimeve.

Kurti ka propozuar një Marrëveshje të Evropës Juglindore për Tregti të Lirë (SEFTA) si kornizë të re bashkëpunimi për të ardhmen e Ballkanit brenda BE-së. . /Insajderi.com