Rusia nuk do të rrijë duarkryq përballë sanksioneve të Shteteve të Bashkuara. Ky të paktën ishte premtimi i Presidentit rus, Vladimir Putin.

Sanksionet e Amerikës ndaj Rusisë nervozojnë Putinin: Do të hakmerrem

Sanksionet e Amerikës ndaj Rusisë nervozojnë Putinin: Do të hakmerrem

Rusia nuk do të rrijë duarkryq përballë sanksioneve të Shteteve të Bashkuara. Ky të paktën ishte premtimi i Presidentit rus, Vladimir Putin.

Duke folur nga Finlanda, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, shefi i Kremlinit iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me bllokun e ri të sanksioneve amerikane që kaluan në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Do të duhet të shohim tekstin final të këtyre sanksioneve dhe më pas të marrim një vendim. Por ne nuk mund të rrijmë duarkryq. Po na sos durimi dhe do të duhet të hakmerremi ndaj arrogancës amerikane”, tha Putin.

Për presidentin rus, sanksionet e reja amerikane janë “ekstremisht cinike”. Paketa e re e sanksioneve e Uashingtonit synon të godasë Moskën për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale amerikane, e po ashtu edhe Korenë e Veriut dhe Iranin për programet e tyre të raketave ballistike dhe bërthamore.

Por Moska nuk është e vetmja kundër këtyre sanksioneve. Këtë herë Shtetet e Bashkuara nuk kanë në krah as Bashkimin Europian, të paktën sipas asaj që sinjalizoi Jean Claude Juncker.

“Amerika e para nuk do të thotë që interesat e Europës vijnë të fundit”, deklaroi ai.

Në fakt, sanksionet e reja parashikojnë ndëshkimin e të gjitha kompanitë që përfshihen në eksportin e gazit rus, çka do të rrezikonte ndërtimin e një gazsjellësi që lidh Rusinë me Gjermaninë.

“Nëse shqetësimet tona nuk merren parasysh, jemi të gatshëm të veprojmë ashtu siç duhet brenda pak ditëve”, vijoi Juncker.

Drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit në Kongresin amerikan arritën një marrëveshje në lidhje me paketën e sanksioneve. Në të parën paketa u kalua me një shumicë dërrmuese, ndërsa në Senat pritet që të votohet para nisjes së pushimeve të gushtit.

Vetë Presidenti Trump nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do të vendosë veton, apo jo ndaj këtyre sanksioneve. Por edhe nëse vendoset vetoja, ajo rrezikon të shfuqizohet nga Senati nëse votohet në shumicë dërrmuese.