SBASHK-u kërkesë ministrit Vitia: Mësuesit të jenë prioritet për vaksinim

SBASHK-u kërkesë ministrit Vitia: Mësuesit të jenë prioritet për vaksinim

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që punëtorët e arsimit të jenë prioritet për vaksinim kundër Coronavirusit, njofton Insajderi.

Rrahmani i cili bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, u pritën të martën në takim nga ministri Vitia, kanë thënë se këtë nuk po e bëjnë për të qenë të privilegjuar, por që të jenë të mbrojtur dhe që kështu të krijohen kushte që mësimi të zhvillohet nëpër shkolla.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë përgëzuar Ministrin Vitia për detyrën ne emër të të gjithë të punësuarve në arsim dhe janë shprehur se do të respektojnë vendimet e institucioneve të shëndetësisë sepse primare për të gjithë është shëndeti i nxënësve dhe punëtorëve të arsimit.

Ata kanë treguar se do të bëjnë gjithë angazhimet që java e mësimit online të jetë sa më e suksesshme duke uruar që situata të krijohet për tu kthyer ne institucionet arsimore”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, ministri Vitia ka përgëzuar SBASHK-un për angazhimet dhe është shprehur se vendimi për shkollat ishte i vështirë, porse është bërë me qëllim që të kemi zbritje të numrit të të prekurve dhe se versioni britanik i COVID-19 po prekë më shumë të rinjtë dhe ka shpërndarje më të shpejtë.

“Nëse masat i respektojmë të gjithë kemi shpresa se pas 18 prillit do të kemi kthim në shkolla por e tëra varet nga situata në të cilën do ndodhemi. Ai është deklaruar se pritet të arrijnë kontingjente të reja të vaksinës dhe që punëtorët arsimor do të jenë të përfshirë në vaksinonim në etapën e dytë”, thuhet më tej në njoftim./Insajderi.com