SBASHK-u: Në gjysmëvjetorin e dytë nuk do të ketë pushim pranveror

SBASHK-u: Në gjysmëvjetorin e dytë nuk do të ketë pushim pranveror

Me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në shkollat e Kosovës gjysmëvjetori i parë do të përfundojë më herët për shkak të pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

Sa i përket orëve të humbura, Sindikata e Bashkuar për Arsim ka propozuar që të mos ketë pushim pranveror dhe që fundi i vitit të zgjatet.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj/

“Është propozuar dhe palët mbase janë pajtuar që me fillim të gjysmëvjetorit të dytë, pushim pranveror të mos ketë, por të jetë proces mësimor, mbase do të zgjatet vitit shkollor për ndonjë ditë. SBASHK përkrah çdo angazhim në marrëveshje me ne pa u dëmtuar mësimdhënësit e Kosovës që të realizohet sa më mirë procesi mësimor në këtë vit shkollor”, deklaroi ai për Telegrafin.

Ndërsa, sa i përket planprogramit, Jasharaj tha se është realizuar në një masë të konsiderueshme.

“Planprogrami mund të jetë realizuar në një masë të konsiderueshme, pasi që në fillim kur është planifikuar është shkurtuar pak përmbajtja e planprogramit dhe besoj që mësimdhënësit brenda mundësive kanë arritur të realizojnë një pjesë të madhe të planprogramit”, tha Jasharaj.

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjysmëvjetori i parë do të përfundojë më 18 dhjetor 2020, ndërsa pushimi do të zgjasë një muaj, deri më 18 janar 2021./Insajderi.com