SBASHK-u: Të hënën nuk mbahet mësimi, jep edhe arsyet

SBASHK-u: Të hënën nuk mbahet mësimi, jep edhe arsyet

Përkundër vendimet të Qeverisë së Kosovës, që e hëna të jetë ditë pune, Sindikata e Arsimit po vazhdon të bëjë thirrje që personeli arsimor të mos dal në punë, njofton Insajderi.

Këtë e bazojnë në kalendarin për vitin shkollor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari ka thënë se bazuar në kalendarin e vitit shkollor, dita e hëne do të jetë pushim dedikuar festës së 28 Nëntorit.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së kryeministrit Avdullah Hoti se duhet të solidarizohemi me mantel bardhët, Jashari ka thënë se mësimdhënësit janë solidarizuar deri në shtator që të zhvillohet sa më mirë procesi mësimor.

“SBASHK-u duke u bazuar në kalendarin për vitin shkollor që jemi, ku thuhet qartë që 28 nëntori është ditën e shtunë por e hëna është ditë pushimi dedikuar kësaj feste të madhe, i është përgjigjur anëtarësisë, duke theksuar se bazuar në këtë kalendar, e hëna është pushim dhe kështu duhet të jetë. Sa i përket deklaratës së kryeministrit se duhet të punohet të hënën për t’u solidarizuar me mantel bardhët. Po e deklaroj se mësimdhënësit e Republikës së Kosovës janë solidarizuar me mantel bardhët dhe policinë dhe jemi solidarizuar ngase kategorik kemi qenë dhe pas përgatitje shtesë, deri më 14 shtator, mësimdhënësit e Kosovës kanë shprehur vullnetin të punohet në institucionet e Kosovës, duke e ditur vlerën e madhe që kanë shkollat për të zhvilluar sa më mirë procesin mësimorë”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se procesi mësimor nuk dëmtohet nga ky pushim, pasi që edhe mësimdhënësit nuk kanë planifikuar as një njësi mësimore për ta zhvilluar të hënën.

Jashari ka shtuar se nuk është bërë asgjë në kundërshtim të kalendarit të MASHT-it dhe e hëna do të jetë pushim për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet.

Ai tutje ka thënë se sindikata nuk merret me institucionet, por të gjithë janë të obliguar që ta respektojnë statutin dhe vullnetin e mësimdhënësve.

E sa i përket atyre mësimdhënësve që nuk do ta respektojnë vendimin e SBASHK-ut, ai ka thënë se është në vullnetin e tyre që të dalin apo jo në punë./Insajderi.com