Schwendiman: Do ta kryej punën “pa frikë e pa hatër”

Schwendiman: Do ta kryej punën “pa frikë e pa hatër”

David Schwendiman, i cili u emërua tashmë si Kryeprokuror i Zyrës së sapoformuar të Prokurorit të Specializuar, është në vizitë në Prishtinë, ku ai po takohet me përfaqësues të lartë të qeverisë së Kosovës, zyrtarë të gjyqësorit, si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas një komunikate për media, Schwendiman u takua me kryeministrin Mustafa, Ministren e Drejtësisë, Hoxha, dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Lumezi.

“Schwendiman theksoi që ai do të udhëhiqet në përmbushjen e mandatit të tij vetëm nga faktet dhe ligji, që ai do të kryejë punën e tij pa frikë e pa hatër, dhe që ai është i zotuar të udhëheqë një proces i cili është legjitim dhe që perceptohet si i tillë nga të gjithë ata të cilët preken nga puna e prokurorisë”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë së Specializuar.

Sipas kësaj komunikate ai, Schwendiman nënvizoi pavarësinë e tij, e cila qartazi shprehet në Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili u votua në Kuvendin e Kosovës më gusht të vitit 2015.

Nga takimet që ka pasur, thuhet se kryeprokurori ka rikonfirmoi zotimin e tyre për ta çuar procesin deri në fund.

“Ai nuk diskutoi detaje në lidhje me përmbajtjet e hetimeve”, thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës ai do të takohet gjithashtu me Shefen e EULEX Kosova, Ambasadorja Alexandra Papadopoulou, Shefen e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Ambasadorja Nataliya Apostolova, Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Dr. Zahir Tanin, dhe anëtarë të tjerë të bashkësisë diplomatike./Insajderi.com