fbpx

Scott përkujton se askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, kujtoi se ende askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe të dhjetëra kosovarëve të tjerë, që janë gjetur në një varrezë masive në Petrovo Sello të Serbisë.

Scott përkujton se askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

“Në këtë ditë, në vitin 2001, një varr masiv me trupat e 75 kosovarëve është gjetur në Petrovo Sello. Në mesin e të vdekurve kanë qenë tre shtetas amerikanë – vëllezërit Bytyçi”, shkroi Scott në Twitter.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.