Së shpejti mundësi e re për legalizimin e armëve

Së shpejti mundësi e re për legalizimin e armëve

Rreth 260 mijë armë ilegale vlerësohet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Pronarëve të tyre nga mesi i tetorit ka gjasa që t’i ofrohet mundësia të i legalizojnë apo të i dorëzojnë ato.

Kjo është paraparë me ligjin për legalizim dhe dorëzim të armëve i cili ndonëse ka më shumë se një vit që ka hyrë në fuqi ende nuk ka filluar të zbatohet

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka këto vonesa i arsyeton me nevojën e hartimin të udhëzimeve administrative për legalizim dhe dorëzim të armëve, udhëzime që tashmë janë në diskutim publik, njofton Klan Kosova.

Për armët që dorëzohen, përjashtohet çdo ndjekje penale, ndërsa armët për të cilat kërkohet legalizim do ti nënshtrohen verifikimit të plotë.

“Në momentin që verifikohen, u krijohet mundësia për me marrë lejen edhe bartjen për armë”, ka thënë Zeka.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, thotë se shteti duhet të ketë një mekanizëm për kontrollimin e armëve.

Sipas tij, me qenë se nuk dorëzohen armët duhet të legalizohen, por natyrisht jo të gjitha llojet e armëve që mbahen ilegalisht.

Qytetarët do të kenë një afat kohor prej 6 muajsh për të legalizuar armët, ndërsa afati për dorëzim vullnetar do të jetë deri në 3 muaj.