Seanca për presidentin pritet të nisë në ora 17:00

Seanca për presidentin pritet të nisë në ora 17:00

Pas dështimit të së shtunës për të zgjedhur presidentin të vendit, Kuvendi i Kosovës, pritet të vazhdojë seancën në ora 17:00, njofton Insajderi.

Të shtunën, raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.

I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.

Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.

E pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq AAK kishte konfirmuar se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë fare në Kuvend.

Po ashtu, deputetët e PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.

Ndërkaq, Telegrafi merrr vesh se në takimin e sotëm me deputetin Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija), Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen dhe votën e këtij deputeti në seancën e sotme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Mësohet se kërkesat e kreut të partisë së goranëve për ta dhënë votën për kandidaten për presidente ishin modeste dhe kishin të bëjnë me disa poste në kabinetin qeveritar.

Me votën e siguruar nga deputeti i partisë së goranëve, pritet që në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, të paraparë për sot në orën 17:00, të marrin pjesë 83 deputetë. Ndërsa, votën në kuti pritet ta hedhin 80 prej tyre, pasi tash dihet se tre deputetë të LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, ndonëse do të jenë në seancë nuk do ta hedhin votën e tyre në kuti, ashtu siç kanë vepruar edhe të shtunën./Insajderi.com