Seancë për Themelimin e Gjykatës Kundër Krimeve Serbe, propozim – vendimi gati

Seancë për Themelimin e Gjykatës Kundër Krimeve Serbe, propozim – vendimi gati

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se Komisioni ad-hoc për harmonizimin e qëndrimeve në lidhje me formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, për Muzeun e Gjenocidit, Memorialin e Dëbimit dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit, pas disa mbledhjesh, sot ka përmbyllur punën e vetë.

Krasniqi, njëherëshit kryesues i këtij komisioni ka thënë se dokumenti së shpejti do të dalë në votim në seancën e Kuvendit. Ai ka prezantuar edhe propozim vendimin e harmonizuar me të gjitha partitë politike.

“Komisioni ad-hoc për harmonizimin e qëndrimeve në lidhje me formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, për Muzeun e Gjenocidit, Memorialin e Dëbimit dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit, pas disa mbledhjesh, sot ka përmbyllur punën e vetë.

Ky komision, që u formua pas iniciativës së Kryetarit të Kuvendit te Kosovës, Kadri Veseli, bëri hapin e parë në synimin tonë te përbashkët për të vendosur drejtësi ndërkombëtare për viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.

Si kryesues i këtij Komisioni, dëshiroj të falënderoj të gjithë anëtarët, nga të gjitha partitë politike, për punën e palodhshme dhe kontributin konstruktiv në finalizimin e Propozim – Vendimit, të cilin do ta procedojmë për votim në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit.

Dokumenti i harmonizuar është një bazë e mirë që Komisioni Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin dhe krimet e tjera të kryera nga Serbia në Kosovë të formohet shpejt dhe të bëjë një punë efikase në arritjen e qëllimit tonë për të sjellë drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë”, ka thënë ai.