Sejdiu: Do vazhdoj të insistoj që të bëhet bashkë një koalicion mes LDK-së dhe VV-së

Sejdiu: Do vazhdoj të insistoj që të bëhet bashkë një koalicion mes LDK-së dhe VV-së

Ish- deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, është njëri ndër ithtarët më të mëdhenj të arritjes së koalicionit mes LDK-së dhe VV-së.

Sejdiu ka thënë se ai do të vazhdon të insistojë dhe të përpiqet që të bëjë bashkë në një koalicion parazgjedhor dy partitë që kanë drejtuar opozitën kosovare gjatë mandatit të kaluar në Kuvend.

Ai thotë se  më e rëndësishme është Kosova, sesa një individ apo një parti, dhe sipas tij këtë duhet pasur parasysh si në LDK po ashtu edhe në Vetëvendosje.

“Vazhdoj me insistu që e ardhmja e Kosovës është më e rëndësishme se individi apo partia”, ka thënë Sejdiu për “Express”.

Tutje ish-deputeti ka thënë se nuk do të ndalet së provuari që të ndërmjetësojë arritjen e një koalicioni parazgjedhor LDK-VV.

“Rrjedhimisht, siç edhe po e shihni nga raportimet mediatike, do të vazhdoj përpjekjet me LDK dhe VV deri në fund të afatit, për të jetësuar koalicionin e madh parazgjedhor LDK-VV – si formula e vetme e mundshme në këto rrethana për të shpëtuar Kosovën.  Dmth, marrëveshja është e mundur, nëse prioritet i vetëm vendoset Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë ish-deputeti.

Ai beson që qeveria e ardhshme duhet të jetë më stabile, me një shumicë shqiptare dhe e përbërë nga LDK dhe VV.

“Qeveria e ardhshme duhet të ketë prioritet ç’kapjen e shtetit dhe funksionalizimin e drejtësisë, shëndetësinë, arsimin dhe uljen e papunësisë në vend, natyrisht duke mos përjashtuar edhe adresimin e problemeve të gjera me të cilat ballafaqohet Kosova.  Ky është momenti i fundit që Kosovës t’i ndërrohet kahja që e ka marrë, sepse shumë shpejtë do të jetë tepër vonë”

Megjithatë ai thotë se ende nuk ka vendosur se a do garojë sërish.

“Angazhimi i im ka qenë pothuajse në tërësi i përqendruar në realizimin e projektit të koalicionit LDK-VV.  Dhe do të vazhdoj deri në momentin e fundit.  Vetëm pas kalimit të këtij afati, do të marr kohën që të mendoj për të ardhmen time politike, pra fillimisht a do të garoj, dhe nëse po, në çfarë formati”, ka përfunduar Sejdiu.