Sejdiu flet për sulmet e VV-së: Do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë

Sejdiu flet për sulmet e VV-së: Do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, njëheresh edhe nënkryetar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka folur rreth kërcënimeve të disa anëtarëve të Vetëvendosjes ndaj kryetarit të këtij subjekti, Shpend Ahemti.

Sejdiu përmes një statusi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se për çfarëdo ofendimi, sulmi dhe përpjekje për linçim do të detyrohemi, si individë dhe si grup, t’i drejtohemi organeve të drejtësisë.

Sejdiu, gjithashtu është shprehur se sulmet e parreshtura të militantëve të LV-së janë bindja e tyre se politika është luftë, kurse fitorja është hakmarrje.

“Lufta që vazhdon kundër PSD-së është shenjë dobësie. PSD pësoi humbje në zgjedhjet, por ajo do të vazhdojë përpjekjet dhe programin e vet. Është e drejtë e saj meqë jetojmë në shoqëri të lirë. Mirëpo, atë që po e vërej nga sulmet e parreshtura të militantëve të LV-së është bindja e tyre se politika është luftë, kurse fitorja është hakmarrje”, ka shkruar Sejdiu.

Tutje, Sejdiu ka thënë se duhet të shpresojmë që  fitorja e VV-së në zgjedhje nuk u arrit për ta linçuar PSD-në. Nëse po, atëherë ne paskemi qenë arsyeja e vërtetë e së keqes në këtë vend, kurse qeverisjet e kaluara paskan qenë vetëm arsyetim elektoral.

“Të parën mund ta vazhdojnë, por të dytën s’mund ta bëjnë. Së paku, jo në një shoqëri të lirë dhe demokratike, ku njeriu ka të drejtë të ketë bindje të ndryshme dhe të ndryshojë mendje saherë që do. Në anën tjetër, një parti që sot nuk është në Parlament, nuk do të duhej të kishte rëndësi për pushtetin e ri. Ai i fitoi zgjedhjet duke premtuar burg për hajna, mosndryshim të kufijve dhe rrëzim të PDK-së. E, këto nuk u zhdukën të hënën në mëngjes. Hajnat janë ende të lirë, për ndryshim të kufijve ende po flitet – kurse PDK vazhdon të jetë në Kuvend”, ka thënë Sejdiu, teksa ka vazhduar.

“Ndërkohë, vazhdon lufta dhe linçimet kundër PSD-së, e cila nuk ka vjedhë gjë, nuk përkrahu ndarjen e vendit dhe – nuk është në Kuvend. Shpresoj se fitorja në zgjedhje nuk u arrit për ta linçuar PSD-në. Nëse po, atëherë ne paskemi qenë arsyeja e vërtetë e së keqes në këtë vend – kurse qeverisjet e kaluara paskan qenë vetëm arsyetim elektoral”, ka thënë Sejdiu.

Në fund, Sejdiu ka thënë se kërkesat për internim të Kryetarit të Prishtinës meritojnë kallëzim penal dhe se për këtë mund ta bëjmë, tash pasi prej të hënës e tutje do të kemi drejtësi të çkapur nga kriminelët.

“N’rregull. Krejt në fund, më duhet ta theksoj një gjë: për çfarëdo ofendimi, sulmi dhe përpjekje për linçim do të detyrohemi, si individë dhe si grup, t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Kërkesat për internim të Kryetarit të Prishtinës meritojnë kallëzim penal. Së paku këtë mund ta bëjmë, tash pasi prej të hënës e tutje do të kemi drejtësi të çkapur nga kriminelët”, ka përfunduar Sejdiu.