Sektori publik nuk i “huq” pushimet dhe festat, ai privat nuk i respekton

Sektori publik nuk i “huq” pushimet dhe festat, ai privat nuk i respekton

Numri i festave zyrtare në Kosovë, të cilat janë edhe ditë pushimi, po konsiderohen të shumta nga shoqatat ekonomike dhe përfaqësuesit e të drejtave të punëtorëve.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Javë më parë, kalendarit të festave zyrtare i është shtuar edhe Dita memoriale e komunitetit egjiptian.

Me futjen e kësaj feste zyrtare, në Kosovë numri i festave ka arritur në 12.

Po ashtu, sipas Ligjit, kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasuese të punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova në aspektin ekonomik humb shumë nga numri i madh i këtyre festave.

“Kosova nuk ka komoditet kaq të madh të festojë kaq shume festa dhe rrjedhimisht të ketë kaq shumë pushime për këto festa, derisa kemi një ekonomi kaq shumë të pa zhvilluar. Por, duket se në Kosovë të gjithëve po i pëlqen kjo formë e pushimeve, e sidomos institucioneve publike të cilët janë ata të cilët pushojnë më së shumti”, thekson Shahini.

Institucionet publike, nwnvizon ai, janë ato, të cilat më së shumti zbatojnë Ligjin për festat zyrtare, derisa sektori privat, jo të gjitha festat zyrtare i bën ditë pushimi.

“Në sektorin privat nuk pushojnë në çdo festë zyrtare. Janë tri apo katër festa zyrtare kur sektori privat pushon. Në rastin e Ditës së Evropës e cila me ligj është ditë pushimi dhe institucionet publike të gjithë pushojnë, sektori privat është në punë të rregullt”, thekson Shahini.

Ndërkohë edhe për përfaqësues të të drejtave të punëtorëve, numri i festave zyrtare që janë edhe ditë pushimi konsiderohet të jetë mjaft i lartë.

Megjithatë, sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi këto ditë pushimi janë vetëm për punonjësit në institucione publike dhe jo për ata që punojnë në privat.

“Festat në kalendar, janë të shumta. Nuk është dashur të kemi kaq shumë festa. Po lidhem me Ditën e Evropës, atje është dita e Evropës, por punohet derisa ne pushojmë. Kalendari ynë është i stërngarkuar me festa të cilat është dashur t’i festojmë, por jo çdo herë të pushohet apo edhe te lidhen festat me ditë pushimi”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Çështjen e numrit të madh të festave zyrtare kohë më parë e patën diskutuar edhe në Qeverinë e Kosovës, ku ishte kërkuar të reduktohen ditët e pushimit për festa, por që deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë për ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare.

Ndryshe, sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 300 mijë persona, nga kjo 80 mijë në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë. (REL)