Selimi i reagon Hotit: “Razumem” i the Vuçiqit, na turpërove kryeministër

Selimi i reagon Hotit: “Razumem” i the Vuçiqit, na turpërove kryeministër

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i ka reaguar kryeministrit Avdullah Hoti për përfaqësimin e Kosovës në Bruksel nga kreu i Qeverisë, në rifillimin e dialogut me Serbinë.

Selimi gjatë seancës plenare që është duke u zhvilluar sot në të cilën ka raportuar Hoti, ka thënë se ai shkoi në Bruksel pa agjendë, platformë dhe ekip.

“Para se të shkonte në Bruksel ne e pyetëm Hotin ku je nis pa agjendë, pa ekip dhe pa platformë? Ai shkoi të përfaqësojë Kosovën, pa agjendë, pa ekip dhe pa platëformë. Nëse thoni se Kushtetuta është platforma, atëherë pikërisht Kushtetuta thotë që të mos shkoni atje. A i bije që po e negocioni Kushtetutën, meqë po e merrni si platformë”, ka thënë Selimi.

Ai tutje i është drejtuar Hotit duke i thënë se i ka turpëruar pasi i ka kthyer përgjigje në gjuhën serbe, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, kur ky i fundit e kishte pyetur se a flet serbisht.

“Z. Hoti do të doja të dija paraprakisht ose si përgjigje a duhet para se të shkosh në bisedime me Vuçiqin të mësosh serbishten? Ti edhe ashtu nuk je i serbishtes, për dallim të shefit tënd të partisë.  Apo hoqe dorë nga reciprociteti dhe u dashtë të flasësh gjuhën e njërës palë? Z. Hoti është dashur t’i thoni shqip se nuk  di serbisht. Është dashur t’i thuash se as nuk dua të mësojë këtë gjuhë”.

“S’ka nevojë të demonstrojnë gjuhën serbe para Vuçiqit që ne e dimë”. “Razumem i the Vuçiqit, na turpnove kryeministër”, ka shtuar tutje Selimi. /Insajderi.com/