Selimi në Hagë: Ne luftuam për liri, unë jam çlirimtar – aktakuza është e pasaktë dhe e padrejtë

Selimi në Hagë: Ne luftuam për liri, unë jam çlirimtar – aktakuza është e pasaktë dhe e padrejtë

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, është paraqitur në seancën e parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, nga ku tha se luftoi për liri dhe se akuza është e pasaktë dhe e padrejtë, njofton Insajderi.

Në paraqitjen e tij të parë para gjyqit, Selimi ka deklaruar se “si deputet i Kuvendit të Kosovës e pata kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate duke dashur që drejtësia të bëhej me institucionet e Kosovës. Pasi që Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, Serbia ka paditur në gjykatën ndërkombëtare lidhur me këtë, ndërsa gjykata i dha të drejtë Kosovës, vetëm pak muaj pas këtij vendimi, Serbia me një raport të Dick Martyt, doli kundër Kosovës, prandaj nuk duhej të themelohej një gjykatë e saj”.

“Unë sot nuk jam si deputet që nuk e kam votuar këtë Gjykatë. Qëllimi i të gjithëve këtu do të jetë drejtësia dhe e vërteta. Akuza është e pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje dhe ndaj luftës së popullit tim dhe shtetit prej nga vi unë. Ishim një popull i shtypur që jetuam për liri duke bërë një luftë të pastër dhe të drejt dhe se kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi. As unë e as UÇK nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e asgjë me veprime kriminale për çka thuhet në këtë aktakuzë. Kam luftuar kundër Serbisë që veç të këqija i ka sjellë vendit tim, vrasje e spastrim. Luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me Gjeneralin Clarck e me NATO-n”, tha ai.

Në aktakuzën e konfirmuar prokurori special akuzon Selimin për “përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave, të gjitha këto krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Krimet e supozuara thuhet se janë bërë “midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë e Shqipëri Veriore”.

Ato thuhet se u bënë “kundër popullatës civile”.

“Këto krime kishin në shënjestër kundërshtarë të cilët perceptoheshin se kishin bashkëpunuar apo kishin lidhje me forca ose zyrtarë apo institucionet ish-jugosllave. Madje edhe ndaj personave që ishin pjesë e qeverisë së përkohshme, duke përfshirë këtu edhe persona anëtarë të LDK-së”, tha prokurori në fjalën e tij.

Prokurori shtoi se “krimet u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur”.

Sipas prokurorit të rastit “ekziston dyshim i bazuar mirë se Rexhep Selimi, ka kryer këto krime si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe mbanë përgjegjësi penale si epror”.

I akuzuari është arrestuar më datë 5 nëntor, ndërsa në po të njëjtën datë është dërguar në Hagë. /Insajderi.com