Selmanaj i kërkon falje Bogujevcit, thotë se u linçua nga Vetëvendosja për deklaratën e tij

Selmanaj i kërkon falje Bogujevcit, thotë se u linçua nga Vetëvendosja për deklaratën e tij

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se është shantazhuar dhe linçuar publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket çështjes së personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, ndërkaq kërkoi falje publike ndaj deputetës së VV-së, Saranda Bogujevci, njofton Insajderi.

Selmanaj tha se kushdo që është ndjerë i fyer apo i lënduar i kërkon falje publike.

“Kushdo që në njëfar forme është ndjerë i fyer ose i lënduar nga deformimet, shtrebërimet që më janë bërë fjalëve të mija, i kërkoj falje publike. Për mua Saranda Bogujevci, Besarta Jashari, Gramoz Berisha dhe jo vetëm janë historia e gjallë e këtij vendi, këta janë vetë populli i Kosovës”, tha Selmanaj në Rubikon.

Ai tutje shtoi se kur Qeveria Hoti ka vendosur të punojë për çështjen e të pagjeturve, atëherë ata po sulmohen më së shumti.

“Unë s’kisha çka të shtoja. Në Kosovë është fol 21 vjet për çështjen e të pagjeturve dhe është punuar minimalisht nga të gjitha qeveritë pothuajse. Dhe për çudi kur kjo qeveri ka vendosur të punojë në këtë drejtim, sulmohemi më së shumti”, tha Selmanaj në një intervistë në Rubikon.

Selmanaj javë më parë derisa ishte duke folur rreth çështjes së të pagjeturve dhe përplasjeve që kanë ndodhur në seancën e Kuvendit, ka thënë se është i lodhur duke dëgjuar për këso raste. E kjo deklaratë e tij mori reagime të shumta nga politikanë të Kuvendit të Kosovës. /Insajderi.com