Selmanaj “zbulon” sekretin amerikan që mund ta trondit botën: Globi po rrezikohet nga sulme jashtëtokësore

Selmanaj “zbulon” sekretin amerikan që mund ta trondit botën: Globi po rrezikohet nga sulme jashtëtokësore

Vizita e një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të muajit shkurt të këtij viti konsiderohej rutinore, por mesazhi që deputeti i LDK-së Driton Selmanaj thotë të ketë marrë në Uashington, mund të “trondit” botën.

Sipas asaj që deklaroi sot deputeti i LDK-së, zyrtarët amerikanë i kanë dhënë atij informacione se janë duke u përgatitur ushtarakisht për mbrojtje nga sulme eventuale që mund të vijnë nga armiq jashtëtokësor.

“Po ju tregoj rreth vizitës që kishim në Amerikë. Ata na shpjegonin për përgatitjet e tyre se si të mbrohet globi nga sulmet eventuale të dikujt tjetër jashtë globit krejt, e na po i dalim telashe”, u shpreh Selmanaj, teksa po tentonte të shpjegonte për çështjet madhore me të cilat merren ShBA-të.

Duke vazhduar krahasimin, pasi dha deklaratën që mund të ketë zbuluar një sekret shtetëror, Selmanaj nënvizoi se Republika e Kosovës është problem i vogël i ShBA-ve, ndonëse zyrtarë shumë të afërt të presidentit Donald Trump, janë përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi tash e disa javë.

“Mor jemi hajgare për ta, kuptojeni këtë”, tha Selmanaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike nuk shpalosi detaje të tjera në lidhje me informacionet për “sulmet nga jashtë globit” që ai tha t’i ketë marrë nga zyrtarë amerikanë.

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës më 26 shkurt, thuhej se gjatë qëndrimit të Selmanajt dhe dy deputeteve të tjera: Arbërie Nagavci dhe Ariana Musliu-Shoshi, janë takuar me kongresistët David Price dhe Garol Miller.

Sipas komunikatës, kumtohej se temë diskutimi ishin sfidat të cilat e presin qeverinë e re, roli i opozitës dhe bashkëpunimi me SHBA-të. /Insajderi.com