Senatorët e SHBA kërkojnë vënien e sanksioneve ndaj Turqisë

Senatori republikan Lindsey Graham dhe ai demokrat Chris Van Hollen i bënë thirrje të hënën administratës Trump t'i vendosë sanksione Turqisë lidhur me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ndaj raketave. Ata thanë se dështimi për ta bërë këtë gjë, dërgon një "sinjal shumë të keq" tek vendet e tjera.

Senatorët e SHBA kërkojnë vënien e sanksioneve ndaj Turqisë

“Durimi ka skaduar prej kohësh. Duhet të zbatohet ligji”, shkruanin dy senatorët në një letër drejtuar sekretarit të Shtetit Mike Pompeo të siguruar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Dështimi për të bërë një gjë të tillë u dërgon një sinjal shumë të keq vendeve të tjera, sikur ata kanë mundësi t’i shpërfillimin ligjet amerikane pa pasoja”, shkruanin dy senatorët.

Ankaraja dhe Uashingtoni janë përfshirë në polemika lidhur me blerjen nga Turqia të sistemit rus S-400. Uashingtoni thotë se këto sisteme nuk janë në përputhje me sistemet e mbrojtjes së NATO-s dhe paraqesin kërcënim për avionët luftarakë amerikanë F-35.

Pavarësisht kundërshtisë së shumë anëtarë të Kongresit amerikan, Turqia e injoroi kërcënimin amerikan për sanksioneve dhe në muajin korrik mori sistemin S-400. Si përgjigje, Uashingtoni e hoqi Turqinë nga programi i avionëve F-35.

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump nuk i ka vendosur sanksione Ankarasë pavarësisht se zoti Trump nënshkroi në vitin 2017 një ligj për sanksione gjithëpërfshirëse, i njohur si CAATSA, kundër atyre vendeve që bëjnë biznes me ushtrinë ruse.

Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur ende kërkesës për koment lidhur me letrën e dy senatorëve. Por zoti Pompeo tha më 26 nëntor se provat e Turqisë me sistemin rus të mbrojtjes ishin “shqetësuese” dhe se bisedimet për të zgjidhur çështjen sipas tij vazhdojnë ende.