Serbët e Kosovës për New York Times: NATO është okupatore

Serbët e Kosovës për New York Times: NATO është okupatore

Shqiptarët dhe serbët që jetojnë në Kosovë kanë këndvështrime të ndryshme rreth misionit të NATO-s. Serbët e shohin NATO-n si një okupator, për dallim nga shqiptarët që e shohin si ruajtës së paqes në vend.

Këtë dallim e kanë shfaqur qytetarë të Kosovës, të intervistuar nga gazeta e njohur amerikane, New York Times. NYT ka bërë një reportazh rreth ndikimit të Rusisë në Kosovë, dhe përpjekjeve të NATO-s për ruajtjen e paqes në rajon.

Në mungesë të ushtrisë së tyre, shumica e Shqiptarëve etnikë shohin trupat e NATO-s si mbrojtës të shtetit të tyre në Kosovë.

“Ata janë këtu për të na mbrojtur neve nga Serbët kur ata duan të kthehen prapë”, tha Bekliza Sahatqiu, 46 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, e cila punon në një dyqan këpucësh në pjesën serbe të Mitrovicës.

Sidoqoftë shumë serbë që jetojnë në Kosovë e përshkruajnë forcat aleate më shumë si okupues se sa mbrojtës, tha Lilijana Miliç, e cila ka një fermë përgjatë rrugës magjistrale Mitrovicë – Prishtinë.

“Ata nuk po mbrojnë askënd, pa dyshim jo neve,” tha ajo. “Ata kanë ardhur të okupojnë këtë tokë, dhe tani qëndrojnë në bazat e saj. Ku ishin ata kur njerëzit u ndoqën nga shtëpitë e tyre në pikë të ditës?”

Në të njëjtën kohë Miliç i fajëson politikanët serbë në Beograd për fatkeqësinë e serbëve të Kosovës.

“Ata vetëm flasin, flasin, flasin, flasin për të na mbrojtur neve,” tha ajo, “por e gjithë çfarë ata bëjnë është të merren me interesat e tyre.”