Serbët politizojnë sportin

Serbët politizojnë sportin

Ashtu siç pritej, serbët kanë politizuar menjëherë përballjen e Kosovës me Serbinë në hendboll, përkatësisht me hendbollistet më të reja se 20-vjet, shkruan sot Koha Ditore.

Shorti i tërhequr të martën ka bërë që U-20 e Kosovës dhe U-20 e Serbisë të jenë në të njëjtin grup në eliminatoret për botërorin e vitit të ardhshëm. Turneu i këtij grupi duhet të luhet në mars të vitit tjetër.

Federata e Hendbollit e Serbisë vetëm të mërkurën ka reaguar për shortin, ndërsa topin e ka gjuajtur te politika, përkatësisht te organet drejtuese të vendit. Serbia e ka të drejtën e parë për të organizuar turneun e grupit.

“Në pajtueshmëri me vendimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe pas konsultimit me Ministrinë, Këshilli Drejtues i Federatës së Hendbollit të Serbisë do të marrë vendimin përfundimtar. Do t’iu përmbahemi instruksioneve të kreut shtetëror”, ka thënë të mërkurën Bozhidar Gjurkoviq, kryetar i Federatës së Hendbollit të Serbisë.