fbpx

“Serbia e di ku ndodhen të zhdukurit” – do të kërkojmë hapjen e arkivave

“Serbia e di ku ndodhen të zhdukurit” – do të kërkojmë hapjen e arkivave

Njëri prej Kryesuesve të Ekipit Negociator kosovar për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj, për Insajderin ka komentuar se a do të përfshihet tema e të zhdukurve të luftës në bisedimet me Serbinë.

Limaj ka konfirmuar për Insajderin se tema e të zhdukurve do të jetë qendrorja në bisedimet mes Kosovës e Serbisë.

‘‘Përveç temës kryesore – që është njohja [e Kosovës shtet] dhe që është tema më e madhe politike – nga nën temat kryesore ka me qenë tema e të pagjeturve; ajo ka me pas vendin e vet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ne besojmë që çështja e të pagjeturve mund të kryhet lehtë në qoftë se është vullneti’’.

Kryesuesi i Ekipit Negociator është shprehur i bindur që Serbia ka shënime dhe e di saktë fatin e të pa gjeturve;‘‘Ne kemi informacione nga brenda Beogradit se nga të gjitha dosjet e njerëzve të pagjetur janë në arkivat shtetërore të Shërbimit ushtarakë dhe policor të shtetit serb. Njëra nga pikat që ne do të kërkojmë do të jetë hapja e arkivave shtetërore’’, ka thënë ai.

Në lidhje me temën e personave të zhdukur, Insajderi ka kontaktuar edhe me Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit.

Makolli ka thënë se Kosova avancon në rajon për sa i përket zgjidhjes së fatit të tyre, megjithatë, derisa të mos zgjidhet fati edhe i personit të fundit të zhdukur, nuk mund të themi që kemi bërë mjaft.
“Ekipi Negociator i Kosovës çështjen e të Zhdukurve e ka vënë në prioritet dhe është thënë se pa zgjidhjen e saj nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare më Serbinë. E them që kjo çështje duhet trajtuar jo vetëm në zbulimin e fatit të tyre, por edhe në nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre krimeve”, ka theksuar Makolli për Insajderin.

Ai ka sqaruar se si komision kanë pasur takime me Ekipin e ri Negociator ‘ne kemi zhvilluar takim me bashkudhëheqësin e Ekipit z. Limaj, nga i cili jemi njoftuar për synimet e Ekipit, jo vetëm në trajtimin e çështjes, por edhe në zgjidhjen e saj’.

Intervistën me bashkëshorten dhe djalin e Rexhep Mazrekut do të mund ta ndiqni live sonte në orën 20:00 në faqen e Gazetës Insajder.