Serbia është ftuar në ceremoninë e Parisit, ndërsa vendi i është caktuar nëpër skute.

Serbia nëpër qoshe të Parisit, vet është përpjekur shumë për këtë

Serbia nëpër qoshe të Parisit, vet është përpjekur shumë për këtë

Serbia është ftuar në ceremoninë e Parisit, ndërsa vendi i është caktuar nëpër skute. Për këtë ajo ka luftuar shumë, sidomos, dekadave të fundit.

Më 11 nëntor, para disa ditësh, Franca, sipas pohimeve të disa medieve serbe,  “e ka kafshuar Serbinë në zemër”. Në shënimin e njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, përveç asaj që kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk ishte në rendin e parë, Franca, shkruan “Politika”, ka harruar t’i jep nderin e merituar Serbisë.

“Politika” në tekstin e ashpër “Parisi më nuk është Qyteti i Dritave”, në nëntitull thotë “Perdja e zezë mbi historinë – administrata franceze “ka harruar” ta nderojë Serbinë, e cila gjatë katër vjetëve të luftës i ka humbur 1.247.435 banorë dhe 62 për qind të popullatës së meshkujve”.

Në fillim të këtij teksti konstatohet: “Flamuri i Kosovës në kishën Notre-Dame, renditja e uljeve në ceremoninë qendrore në Paris… më tepër ngjante me ditën e fitores në luftën e Kosovës në vitin 1999”.

“Serbia ishte e poshtëruar, edhe atë jo rastësisht. Në stuhinë pragmatike të interesave të politikës ditore, në istikamet diplomatike bashkëkohore është varrosur historia me të cilën Serbia është edhe më tutje krenare, ndërsa Francës duhet t’i vije turp”, konstaton “Politika”.

Mediet serbe dhe opinioni vendor në Serbi janë tmerruar për atë se kryetari i Serbisë ishte vendosur në një rrugë qore, ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi menjëherë pas Angela Merkel dhe Vladimir Putinit. Këtu është problemi, e jo në (mos) respektimin e viktimave serbe. Shkohet aq larg saqë “Politika” në komentin e saj propozon që përmendorja e falënderimit për Francën në Kalemegdanin e Beogradit “një kohë” (?) të mbulohet me perde të zezë.

Miroslav Llazanski “topxhiu” i gazetës më të vjetër në Ballkan, përmend se si Beogradi, vetëm para disa vjetëve në kohën e sulmit në redaksinë e revistës “Chalie Hebdo”, i ka ndriçuar urat dhe “Pallatin Shqipëria” me ngjyra të flamurit francez. “Zbulon” se Franca e sotme nuk është ajo e para njëqind vjetëve.

Llazanski e di, por nuk e përmendë (po përgatitet për diplomaci!) se as Serbia më nuk është e njëjta. A kemi hequr dorë nga antifashizmi? Po! A i kemi mbrojtur kriminelët e luftës? Po! A ia kemi vendosur në kokë Zhelko Razhnjatoviq Arkanit kapelën e Stepa Stepanoviqit? Po! A ka qenë ai Arkan kandidat presidencial? Ka qenë! A ka qenë Sllobodan Milosheviqi në varrimin e tij? Ka qenë! A është i ulur krimineli i luftës Vojislav Sheshel në ulësen e Kuvendit Popullor? Është i ulur! A e lavdërojmë Radovan Karaxhiqin, Ratko Mladiqin dhe të dënuarit tjerë të Hagës? I lavdërojmë! A e kemi “përzënë” Kosovën nga Serbia? E kemi përzënë! A e kemi vrarë kryeministrin e parë demokrat? E kemi vrarë! A duhet ende?

E ajo që kryetari i Serbisë, i cili tashmë tetë vjet tallet me gjithë botën perëndimore, e ka fituar vendin në një skutë nuk ka as edhe lidhje më të vogël me mosrespektimin e viktimave serbe në Luftën e Madhe. Thonë, nuk është ftuar as të jetë në mes të 12 liderëve botërorë për ta nënshkruar Deklaratën Ndërkombëtare mbi informimin dhe demokracinë. E dinë ata se sa liri kanë mediet në vendin e tij.

Edhe vet Vuçiqi, duke përmendur se e di që çdonjërit në Serbi kinse ka pasur “gungë në fyt”, ka thënë se nuk ishte vendi e as koha që në Paris të bëjë skandal. Përse skandal, zotëri! Megjithatë, u tërhoq duke thënë: Ose do të jeni pjesë e botës ose do ta përjashtoni veten.

Serbia është ftuar në tubim në Paris. Mjafton. Vendi i është caktuar nëpër skute. Për këtë vet është përpjekur shumë, sidomos dekadat e fundit.

Këmbëngulja në vet mashtrime ndoshta i pëlqen popullit, por prej kësaj kanë dobi vetëm liderët, mirëpo gjithmonë përfundon trupërisht dhe me disfatë.

Autori është gazetari serb Dragan Banjac.