Serbia reflekton negativisht ndaj kushteve të Kurtit

Serbia reflekton negativisht ndaj kushteve të Kurtit

Qeveria e Serbisë i është përgjigjur negativisht kushtit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për reflektim dhe ndërprerje të fushatës së Serbisë për çnjohje të Kosovës.

Pesë ditë pas prezantimit të qëndrimit 7-pikësh nga Qeveria e Kosovës, sipas të cilit nga 15 marsi duhet të hiqet tarifa për lëndën e parë. Si kusht ndaj vendimit, Kurti theksoi se Serbia duhej të zotohej për ndërprerje të fushatës për çnjohje të Kosovës dhe të nisë eliminimin e barrierave tregtare jotarifore.

Në qoftë se Serbia do të reflektonte, sipas planit të Kurtit, tarifa do të hiqej prej 1 prillit. E, në rast se nuk do ta bënte këtë, atëherë qeveria me fillim nga 1 prilli do të niste me implementimin e reciprocitetit.

Sipas kryeministrit Kurti, nëse do të mungonte reflektimi, nga 15 qershori do të kthehej tarifa dhe veç kësaj do të vazhdohej me reciprocitetin.

Mirëpo, Serbia e Aleksander Vuçiqit nuk ka reflektuar sipas planit të kryeministrit të Kosovës. Ajo vazhdon që në mënyrë të rreptë ta shtyjë përpara fushatën kundër njohjes së Kosovës.

Serbia ka injoruar edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndaljen e fushatës agresive kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës me qëllim të rinisjes së dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë – Beograd.

Sot shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka prezantuar edhe një letër duke pretenduar se Sierra Leone ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, hiç më larg se më 23 janar të këtij viti, i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte bërë thirrje që Beogradi zyrtar ta ndalë fushatën e çnjohjeve.

Ndërkohë, lidhur me pretendimet e Serbisë për çnjohjen nga Sierra Leone ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke thënë se s’kanë pranuar asnjë notë verbale lidhur me ndonjë vendim eventual të Sierra Leone për heqje të njohjes.