Serbia s’e lë Kosovën të marrë kryesimin e një Komisioni në SEECP, e merr Turqia

Serbia s’e lë Kosovën të marrë kryesimin e një Komisioni në SEECP, e merr Turqia

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mori pjesë takimet e Komisioneve të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahen në Slloveni.

Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë këtyre takimeve u përfaqësua nga deputetët: Zenun Pajaziti – Komisioni i Përhershëm Qendror, Glauk Konjufca – Komisioni i Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, Avdullah Hoti – Komisioni i Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ismail Kurteshi – Komisioni i Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë anëtarë.

Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe delegacionet nga Sllovenia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Turqia dhe Serbia.

Siç njofton kumtesa, sipas agjendës së paraparë gjatë takimeve, u propozuan dhe miratuan kandidaturat për Komisionet e Përgjithshme. Me konsensus u vendos që për periudhën 2018/2019, Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, ta kryesojë Turqia, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, ta kryesojë Maqedonia, ndërsa Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, ta kryesojë Mali i Zi.

Delegacioni nga Kosova shprehu interes për marrjen e Kryesimit të Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, por u kundërshtua nga Serbia.

Gjatë takimit poashtu u diskutua për stagnimin e vendimit në selinë e Sekretariatit të AP të SEECP-së dhe kërkuan mënyra për të dalë nga kjo situatë.

Nikoqir i takimeve ishte Sllovenia, e cila Kryeson Presidencën e SEECP-së prej 1 korrikut 2017 deri më 30 qershor 2018.

SEECP është një proces rajonal i themeluar në Sofje më 1996 me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin në dimensionin njerëzor, drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

Procesi rajonal është forumi i dialogut diplomatik dhe politik të vendeve pjesëmarrëse të Evropës Juglindore, të koordinuar nga çdo presidencë (në këtë periudhë Sllovenia).

Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajon dhe që përfaqëson platformën më të përshtatshme për të përballuar sfidat e Evropës Juglindore.

Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta.ë

Ndërkohë, kryeparlamentari Kadri Veseli, në Facebook ka shkruar se Kosova do të kryesojë SEECP-në në periudhën 2019/2020.

“Bashkë me homologë dhe deputetë të shteteve të Evropës Juglindore, u takuam sonte në Lublanë, ndërsa nesër do të mbajmë sesionin e pestë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA). Gjatë punimeve të SEECP, do të paraqes të arriturat e Kosovës dhe progresin e shënuar nga legjislativi në rrugën drejt integrimeve evropiane. Kosova do të kryesojë SEECP-në në periudhën 2019/2020”, ka shkruar Veseli.