Sërfisti shpëtohet pas 32 orë në det të hapur

Sërfisti shpëtohet pas 32 orë në det të hapur

Një sërfist, të cilin mediat e kanë cilësuar si “jashtëzakonisht me fat”, është gjetur nga një helikopter i rojës bregdetare pas 32 orësh i humbur në det.

Matthew Bryce, 22 vjeç nga Glasgou, ishte zhdukur që prej mëngjesit të së dielës. Roja bregdetare e Belfastit deklaroi se ai kishte qëndruar në det deri të hënën pasdite.

Një zëdhënës tha se Bryce, i cili kishte veshur një kostum sërfi kundër lagështirës, u gjet në gjendje hipotermie dhe u dërgua në një spital të qytetit irlandez.

Gjendja e tij rezulton e qëndrueshme. Dawn Petrie, oficer i rojës bregdetare deklaroi se 22-vjeçari “ka patur shumë fat”.

“Shpresat që ta gjenim të gjallë po zhdukeshin dhe pas një kohe të gjatë qëndrimi në ujë dhe me natën që afrohej, shanset ishin të vakëta. Por gjatë pasdites ekuipazhi ynë e lokalizoi, teksa ai ndodhej ende në tryezën e sërfit, 13 milje larg bregut”, tha zëdhënësi.

Sipas tij, 22-vjeçari ishte pajisur me kostumin e duhur që e ka mbrojtur nga lagështira dhe e ka mbajtur gjallë për kaq kohë në det.

“Ai ndodhet në spitalin e Belfastit, në gjendje hipotermie, por i ndërgjegjshëm”, shtoi zëdhënësi.