
Janë mbyllur shtatë sfidat e Serisë A, të vlefshme për javën e 15-të. Atalanta ka çmontuar surprizën Sassuolo, teksa të besuarit e Gasperinit kanë triumfuar me rezultatin 5-1, duke mos e vënë në diskutim fitoren për asnjë moment, njofton Insajderi.
Roma e ka nisur me këmbën e mbarë vitin 2021, teksa ka mposhtur minimalisht Sampdorian, falë një goli të Edin Dzeko-s në minutën e 73-të. Fitore ka korrur edhe Napoli, që ka shkatërruar në transfertë Cagliari-n me rezultatin 4-1, teksa luajti ndeshjen e parë me ekipin e Gattuso-s edhe Amir Rrahmani, i cili mori vendin e Manolas në minutën e 46-të.
Lazio ka zhgënjyer sërish në kampionat, teksa nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj Genoa-s në ‘Marassi’.
Ndërkohë Verona ka mposhtur 0-1 Spezia-n, ndërsa Torino ka triumfuar 0-3 ndaj Parmës. Fiorentina është ndalur në barazim pa gola ndaj Bologna-s. /Insajderi.com