Serwer: Mbase nuk ka plan të dakorduar Thaçi-Vuçiq, por janë vizatuar harta

Serwer: Mbase nuk ka plan të dakorduar Thaçi-Vuçiq, por janë vizatuar harta

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se duhet pyetur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, rreth rolit të tij për bashkëpunimin me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Unë mendoj se shumë presion i bëhet Thaçit. Gjithkush në Prishtinë e beson se ky presion ka të bëjë me Gjykatën Speciale. Nuk e di nëse është e vërtetë ose jo. Por e zbulon sjelljen e administratës Trump për ta përdorur Gjykatën Speciale për të bërë trysni ndaj një shefi të shtetit të huaj. Këtë e shoh si ndryshim të politikës ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai në KTV.

E ai ka thënë se kjo kurrë nuk kishte ndodhur me administratat e mëparshme.

“As me administratë republikane të G.W. Bush, dhe as me ato dy demokratike të Clintonit dhe Obamas”, ka thënë analisti Serwer.

Serwer është pyetur edhe rreth rolit të LDK-së, e cila e nisi mocionin e mosbesimit, duke e paraqitur si bazë mos-heqjen e taksës nga kryeministri Kurti, me gjithë kërkesën e Grenellit.

“Mua më duket se LDK-ja është e përçarë. Duket se një pjesë e LDK-së, sidomos Isa Mustafa dhe tjerët e donin rrëzimin e Qeverisë, kurse Vjosa Osmani dhe të tjerë nuk e donin. Se çfarë është marrëveshja që e bën një anëtar koalicioni ta braktis koalicionin janë gjëra të vështira për t’u ditur. Porse kjo punë është kryer në Prishtinë, dhe pyetjen duhet shtruar në Prishtinë”, ka thënë ai.

Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë të përbashkët të Grenellit, ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmerit, lidhur me Kosovën.

Për Serwerin, e rëndësishme në atë letër është ajo që nuk thuhet.

“Nuk e thotë se Palmeri dhe Kosnetti nuk e kanë parë marrëveshjen e fshehtë. Thotë se vetëm Grenelli nuk i ka parë, dhe nuk e besoj se ky është një deklarim i besueshëm, për shkak se të gjithë e dimë se disa plane të tilla kanë qarkulluar publikisht e çka është më me rëndësi, që të dy Thaçi dhe Vuçiqi e kanë pranuar se kanë diskutuar këmbimin e territoreve. Grenelli di për këto biseda sikurse edhe inteligjenca amerikane që di për to”, ka thënë ai, duke shtuar se për të, nuk janë të besueshme këto përpjekje për t’i mohuar planet ekzistuese për këmbim.

“Mbase nuk ka plan të dakorduar, porse hamendësoj se ka harta që janë këmbyer dhe se ka harta”, ka thënë ai.

Deklarata e përbashkët e tre politikanëve, për të, nuk është kredibile.

“Po të donin ta bënin kredibile, në fund të saj aty ku thuhet ‘qëllimi është njohja e ndërsjellë’’, ka thënë ai.

Ai ka thënë “se plane janë diskutuar, janë vizatuar edhe harta”.

“Nuk e di se kush i vizaton dhe as çfarë ka në to. Porse, kjo punë po zhvillohet ka disa vjet dhe është e pabesueshme që të mos jenë diskutuar detaje specifike, mund ta besoj se nuk ekziston një plan i vetëm sekret i dakorduar, këtë mund ta besoj, ngase besoj se e gjithë kjo punë është e kotë dhe zhvendos vëmendjen”.