Vera pandemike

Sezoni veror: Kosovarët po udhëtojnë 70% më pak drejt Shqipërisë, krahasuar me vitin e kaluar

Pika kufitare në Vërmicë e mbushur me kolona veturash në vikendin e fundit dha përshtypjen sikur asgjë s’ka ndryshuar. Është verë dhe kosovarët verës shkojnë në bregdet në Shqipëri. Kështu ka qenë, kështu ka mbetur. Por, numrat flasin ndryshe, shumë madje. Vetëm krahasuar me vitin e kaluar ka rënie deri në 70 për qind, thonë agjencitë turistike që bartin pushues.

Sezoni veror: Kosovarët po udhëtojnë 70% më pak drejt Shqipërisë, krahasuar me vitin e kaluar

Mediat në Kosovë kanë raportuan për fluks të madh qytetarësh drejtuar bregdetit shqiptar.

Kolona të gjata veturash dhe mijëra kosovarë në pikën kufitare të Vërmicës vikendin që lamë pas, kanë dhënë përshtypjen se sezoni veror nuk është afektuar aq shumë nga gjendja e shkaktuar me Coronavirus.

Por, e kundërta është e vërtetë.

Numri i pushuesve nga Kosova nuk është shumë i madh as krahasuar me një muaj më parë, lëre më me vitin e kaluar.

Fundjava që shkoi, ka shënuar numër krejt pak më të madh sa i përket hyrje-daljeve të njerëzve në pikëkalimet kufitare të Kosovës, në krahasim me fundjavën e parë të qershorit.

Ndonëse u regjistruan mijëra qytetarë si të kontrolluar në kufi, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës dërguar Insajderi.com, gjatë dy ditëve të fundit, përkatësisht këtë të shtunë, u regjistruan 33 mijë e 156 persona që kanë hyrë dhe dalë nëpër pikat kufitare të Kosovës, dhe të dielën janë shënuar edhe 29 mijë e 303 të tjerë.

Nëse krahasohen këto shifra me ato të periudhës kohore 06 deri më 07 qershor të këtij viti, që ishte edhe vikendi i parë që nga lejimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve nëpër kufijtë tokësorë të Kosovës, nuk ka dallim të madh, meqë gjatë kësaj periudhe ishin shënuar rreth 27 mijë e 858 individë që kanë kaluar nëpër këto pika, ku më së shumti hyrje-dalje janë realizuar nga Shqipëria.

Edhe përgjatë këtij vikendi, fluksi më i madh i udhëtarëve është regjistruar në Vërmicë, e që sipas statistikave numri i përgjithshëm i tyre ka arritur deri në 10 mijë.

 

Pandemia ka ndikuar në pakësimin e udhëtarëve nga Kosova drejt Shqipërisë.

Pyetja është; sa?

Përgjigja – sipas agjencioneve turistike – shumë?

Edhe pse sezoni i verës ka filluar dhe qarkullimi i kosovarëve drejt vendeve fqinje do të duhej të shënonte kulmin e tij, situata e krijuar nga Coronavirusi ka bërë që të ketë një ndryshim të madh në shifrat e personave të cilët frekuentojnë vendet në regjion (kryesisht Shqipërinë), krahasuar me sezonin paraprak.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor dhe Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, në një përgjigje dhënë Insajderi.com, ka treguar se deri më tani nuk është futur në përdorim as 30% e kapaciteteve të autobusëve, në krahasim me shifrat e vitit të kaluar.

Kurtishaj thotë se gjatë verës së vitit 2019, pothuajse një mijë persona kanë udhëtuar mesatarisht me një kompani autobusësh në ditë, kurse sot ky numër arrin në më pak se 300 persona.

“Nga 1 janari deri më datë 31 dhjetor 2019 numri i pushuesve dhe udhëtarëve ka qenë mbi 35 mijë qytetarë të cilët kanë shkuar dhe janë kthyer me kompaninë ‘Sharr Travel’, qoftë me paketa turistike qoftë për vizita të ndryshme. Nëse flasim krahasimisht me kohën e njëjtë të vitit të kaluar, deri diku këtë vit akoma nuk e kemi arritur 30% të shfrytëzimit të kapaciteteve në bazë të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Përderisa gjatë vitit të kaluar kemi nisur diku deri në një mijë vetë në ditë, këtë vit ky numër është shumë më i vogël, diku deri në 200, maksimumi 300 vetë që do të thotë se nuk kemi as 30% të kapaciteteve në shfrytëzim”, ka potencuar Kurtishaj.

“Nga ana tjetër, vitin e kaluar kemi pasur të angazhuar mbi 14 autobusë të cilët kanë realizuar udhëtimet e tyre në Shqipëri, ndërsa këtë vit maksimumi është gjashtë autobusë të cilët shkojnë të shtunave dhe të dielave”, ka thënë Kurtishaj./Insajderi.com