Sfiduesi i mundshëm i Shpend Ahmetit nga PDK-ja

Sfiduesi i mundshëm i Shpend Ahmetit nga PDK-ja

PDK mund ta sfidojë Shpend Ahmetin me Lirak Çelajn, në garën për të parin e Komunës së Prishtinës.

Siç ka raportuar sot Gazeta Express, Lirak Çelaj do të jetë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Çelaj ishte bërë kryetar i Degës së PDK-së duke mundur në garë Memli Krasniqin. Ky i fundit ka konfirmuar disa herë se nuk do t’i hyjë garës për shef të Prishtinës.

Lirak Çelaj pasluftës kishte aderuar në PDK. Ka mbajtur pozita edhe në qeveri. Së fundmi, ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë dhe njëkohësisht asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës.

PDK asnjëherë s’ka arritur rezultatet të mira në Prishtinë. Në zgjedhjet e fundit kishin pësuar humbje të thellë duke kandiduar Agim Çekun, një ish-komandant me prejardhje nga Peja.

PDK kishte dështuar në Prishtinë edhe me kandidat me kredenciale akademike. Astrit Salihu pati dështuar të bëhet kryetar i Prishtinës duke garuar kundër Isa Mustasfës, i cili pati fituar pa balotazh.

Deri tash, kandidaturën për Prishtinën e ka konfirmuar Arbër Vllahiu i AAK-së dhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. /Insajderi.com