Shaip Kamberi rrëfen për përballjet e tij në Parlamentin e Serbisë

Shaip Kamberi rrëfen për përballjet e tij në Parlamentin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka rrëfyer lidhur me ballafaqimet e tij në Kuvendin e Serbisë, për çka thotë se qeveritarëve nuk po iu pëlqejnë fjalimet e tij, transmeton Insajderi.

Shaip Kamberi i cili është një prej tre deputetëve shqiptar në Kuvendin serb ka nisur t’i ngrisë disa prej problemeve me të cilat përballen bashkëkombasit e tij.

Deputeti nga Bujanoci në një intervistë për TV Dukagjini thotë se në Serbi nuk ka vullnet politik që shqiptarët të trajtohen si partnerë.

“Mjerisht mungesa e vullnetit politik në vazhdimësi po dëshmohet në Beograd se shqiptarët nuk dëshirojnë t’i trajtojnë si partner për të biseduar për zgjidhjen e problemeve por një qëndrim armiqësor, duke i konsideruar si armiq kujdestar të këtij shteti, vazhdon të jetë një qasje edhe e qeverisë së dytë të Ana Bërnabiqit”, ka thënë Kamberi.

“Qëllimi i fjalimit tim dhe paraqitja e simbolit kombëtar shqiptar në Parlament ka pasur për qëllim të tërheq vëmendjen e opinionit në tërësi në Serbi dhe të pushtetit aktual se shqiptarëve ju mohohet njëra prej të drejtave elementare, përdorimi i lirë dhe zyrtar i simbolit kombëtar që është bashkë me gjuhën pjesë e identitetit tonë. Kur e kam vendosur bashkërisht me flamurin shtetëror, unë kam tentuar të ndërtojë barazi në përdorim të simboleve, sepse serbët në Kosovë e përdorin lirshëm në shumë vende edhe pa flamurin shtetëror të Kosovës”, deklaroi Kamberi.

Mungesa e opozitës ka bërë që tre deputetët nga Lugina të kenë më shumë hapësira për të folur, në vendin ku për herë të parë shqiptarët kanë arritur t’i zënë tri ulëse.

“Kësaj here e kemi herën e parë që pesë parti politike shqiptare janë bashkuar dhe atë me ndihmën e ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili ka ndihmuar mes këtyre partive që të bëhen bashkë dhe kemi tri mandate, kemi arritur ti fitojmë tri mandate, përpara ka marrë vetëm një parti, Partia për Veprim Demokratik kryetar i së cilës jam unë vet ose me ndonjë parti më të vogël të cilët na kanë ndihmuar në këtë sfidë”, tha mes tjerash Shaip Kamberi. /Insajderi.com