SHBA e akuzojnë Rusinë për shkelje flagrante të marrëveshjes nukleare

Rusia po vazhdon me shkelje flagrante të marrëveshjes mbi forcat nukleare me rreze të mesme (INF), kanë kumtuar autoritetet amerikane të cilët më herët kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga kjo marrëveshje të arritur në kohën e Luftës së Ftohët.

SHBA e akuzojnë Rusinë për shkelje flagrante të marrëveshjes nukleare

Diplomatët nga SHBA dhe Rusia kanë biseduar në Gjenevë për këtë marrëveshje. Në dhjetor SHBA kanë dërguar ultimatum Rusisë, duke i dhënë afat prej 60 ditësh që ta respektojë marrëveshjen, përndryshe ata do të tërhiqen.

“Takimi ishte dëshpërues sepse është e qartë se Rusia po vazhdon me shkelje flagrante të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Andrea Thomson, zyrtare e Departamentit të shtetit amerikan për kontroll të armatimit dhe çështje të sigurisë ndërkombëtare.

Thomson, e cila e ka udhëhequr delegacionin amerikan në Gjenevë, ka thënë se Rusia nuk ka shpjeguar se si do t’i kthehet respektimit integral dhe të besueshëm të obligimeve sipas marrëveshjes.

Nga ana tjetër udhëheqësi si delegacionit rus Sergei Rjabkov ka thënë se “Është e qartë se SHBA dëshirojnë të shkojnë deri në fund me qëllim ta shkatërrojnë marrëveshjen”.

Marrëveshja për forcat nukleare me rreze të mesme nga koha e Luftës së Ftohët ndalon një klasë të tërë të armatimit – raketat me rreze prej 500 deri 5.500 kilometra. Këtë marrëveshje e kanë nënshkruar në vitin 1987 Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev./Insajderi.com.