SHBA e Britania të zhgënjyer me votimin e fshehtë për emrimet në KGJK

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në dijeni për emërimet e fundit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme pas anulimit, nga Gjykata Kushtetuese, të procesit të mëparshëm të emërimeve.

SHBA e Britania të zhgënjyer me votimin e fshehtë për emrimet në KGJK

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave te Britanisë dhe ShBA-së i sygjeruan KGJK-së përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e saja për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë.

“Mirëpresim faktin që pas rishikimit të Rregulloreve, Këshilli Gjyqësor i ka miratuar disa prej këtyre propozimeve.”

“Megjithatë, siç ia kemi bërë të ditur KGJK-së edhe atëherë, ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë.  Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies.”

“Për fat të keq, shikuar procesin e përsëritur të përzgjedhjes për këto pozita nga këndi ynë, na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve”, theksojnë këto dy ambasada.

Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë sipas tyre  do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri.

Arsyetimi me shkrim i dhënë nga KGJK-ja më pastaj fare nuk e korrigjon këtë përshtypje.

“Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç.”

“Ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën.”

“Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes.”

“Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj.  Kjo gjë kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të KGJK-së dhe lidership të fuqishëm nga Kryesuesi.”

“Presim të punojmë me KGJK-në për të përparuar në arritjen e kësaj”, theksojnë Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.