SHBA-ja ka hequr dorë nga përgjegjësia për marrëveshjen Kosovë-Serbi, thotë Serwer

SHBA-ja ka hequr dorë nga përgjegjësia për marrëveshjen Kosovë-Serbi, thotë Serwer

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do të marrin në konsideratë çfarëdo marrëveshje që arrijnë Kosova dhe Serbia është heqje dorë nga përgjegjësia dhe parimet mbi të cilët është shthurur ish-Jugosllavia.

Ky është vlerësimi që ka dhënë ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer.

“Çështja është se, gjithë shpërbërja e ish-Jugosllavisë sillet rreth asaj që kufijtë nuk duhet të lëvizin, por shtetet të ndahen bazuar në kufijtë e Komisionit të Badinterit. Kjo është përcaktuar qysh në fillim të viteve 90-ta. Është gabim i madh që Amerika të heqë dorë nga këto principe. Po e përsëris, gabim i madh sepse nuk funksionin në Ballkan me ndryshim të kufijve” , ka thënë Serwer për “Kohën Ditore.

Ai ka shtuar se, kjo ka prodhuar paqartësi të mëdha. Sipas Serwerit, nëse Amerika dhe Evropa nuk pajtohen nuk mund të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Problematike ai e sheh faktin se, Ballkani dhe Kosova më nuk janë në top agjendën e Shteteve të Bashkuara.

“Por ky është lajm i mirë. Duhet t’i merrni vetë vendimet, amerikanët sot nuk janë shumë të brengosur për Kosovën”, ka theksuar Serwer.