SHBA-ja raporton 3.124 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

 SHBA-ja raporton 3.124 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

SHBA ka regjistruar një tjetër rekord të vdekjeve ditore nga koronavirusi respektivisht numrin më të lartë të vdekjeve brenda një dite që nga shpërthimi i pandemisë, transmeton Insajderi.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë vendin gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 3.124 viktima dhe mbi 221 mijë raste të reja të koronavirusit.

Kjo shifër e zymtë vjen para takimit të sotëm të ekspertëve, ku do të diskutohet efikasiteti i vaksinës COVID-19, të zhvilluar nga kompania amerikane farmaceutike Pfizer dhe kompania gjermane e bio-teknologjisë BioNTech, për autorizimin e përdorimit emergjent të saj.

Të martën, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave në një raport tha se nuk ka “asnjë shqetësim specifik të sigurisë të identifikuar që do ta përjashtonte” përdorimin emergjent të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Analiza po ashtu konfirmoi 95 për qind efektivitet të vaksinës, duke shtuar se rastet serioze anësore janë të “rralla”.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins, SHBA vazhdon të jetë vendi më i prekur nga pandemia COVID-19, me pothuajse 15,4 milionë raste të konfirmuara, rreth 290 mijë vdekje dhe mbi 5,8 milionë të shëruar. /Insajderi.com