“ShBA konfirmoi se do të ketë rol aktiv në dialog”

“ShBA konfirmoi se do të ketë rol aktiv në dialog”

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se gjatë takimit që ka pasur së fundmi në Uashington nga zëvendëspresidenti amerikan Michael Pence ka marrë konfirmimin se Amerika do të përfshihet më aktivisht në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Dialogu tashmë po hyn në një fazë të re dhe zonjës (Federica) Mogherini i nevojitet e gjithë mbështetja. Prandaj është e domosdoshme që Amerika të ketë rolin e saj në këtë proces”, ka thënë Thaçi në një intervistë për portalin me bazë në Beograd Remarker (remarker.media).

“Roli i tyre është të sjellin më shumë besueshmëri, besim dhe qëndrueshmëri në proces”, tha Thaçi.

I pyetur se kur do të krijohet Asociacioni i komunave serbe, ai është përgjigjur “Sa më shpejt, aq më mirë në përputhje me ligjet e Kosovës, dhe kjo është një detyrim ndërkombëtar që mori në Bruksel”.

Numri një i Kosovës njëherësh iu ka bërë thirrje të gjithë serbëve të larguar që të kthenen në Kosovë.

“Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’i akomoduar ata dhe t’i integrojmë në shoqërinë kosovare”, tha kreu i shtetit në këtë intervistë.

Ai ka deklaruar poashtu se ftesa për presidentin serb Aleksandar Vuçiq për ta vizituar Prishtinën  është “gjithmonë  e hapur”.

“Unë nuk kam marrë  ftesë për të vizituar Beogradin, por unë jam i gatshëm të vijë kur kjo ftesë arrin.  Nëse takohemi nëpër kryeqytete të botës, pse të mos takohemi në kryeqytetet e dy vendeve tona, në Prishtinë dhe Beograd”, ka thënë Hashim Thaçi.

Duke folur për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, ai tha se themelimi i asaj gjykate ishte “një veprim i papëlqyeshëm në Kosovë”.

Ai i quajti akuzat për trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë “një fantashkencë”.

“Këto akuza janë fantashkencë, kjo nuk ndodhi kurrë. Kjo ishte një gënjeshtër e tmerrshme,  një lajm i fabrikuar që është projektuar vetëm për të tërhequr vëmendjen”, ka deklaruar ai.