Shërbimi sekret nuk mundet të paguajë qindra agjentë për të mbrojtur presidentin Donald Trump dhe familjen e madhe të tij. Drejtori i shër" />

SHBA, mungesë fondesh për mbrojtjen e familjes Trump

SHBA, mungesë fondesh për mbrojtjen e familjes Trump

Shërbimi sekret nuk mundet të paguajë qindra agjentë për të mbrojtur presidentin Donald Trump dhe familjen e madhe të tij.

Drejtori i shërbimit sekret, Randolf Alles i tha “USA Today” se, më shumë se 1.000 agjentë paguhen edhe me orë shtesë, duke ezauruar fondin e parashikuar për një vit të tërë.

“Presidenti ka një familje të madhe dhe përgjegjësia jonë përcaktohet nga ligji”, tha Alles për “USA Today”. “Unë nuk mund ta ndryshoj këtë. Nuk kemi hapësirë për fleksibilitet”.

Më vonë, ai i tha CNN-it se problemi nuk është i lidhur vetëm me administratën “Trump”, por po vazhdon prej vitesh.

“Ky problem nuk i atribuohet vetëm kërkesave për mbrojtje të administratës aktuale, por është një çështje që vazhdon prej rreth një dekade, për shkak të një rritjeje totale të aktiviteteve operacionale”, tha ai.

Trump ka zhvilluar udhëtime thuajse çdo fundjavë të presidencës së tij në pronat në New Jersey, Virginia dhe Florida, por ka bërë edhe udhëtime ndërkombëtare. Fëmijët e tij të rritur kërkojnë po ashtu mbrojtje gjatë udhëtimeve të tyre të biznesit dhe pushimeve.

Në administratën “Trump”, 42 persona kanë mbrojtje, mes të cilëve 18 pjesëtarë të familjes së tij, një rritje kjo nga 31 personat që mbroheshin nga shërbimi sekret në administratën “Obama”. Pagat për agjentët e shërbimit sekret, përfshirë orët shtesë, shkojnë nga 160 mijë në 187 mijë dollarë në vit.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë për shtyp ka thënë se presidenti është i angazhuar t’i garantojë shërbimit sekret dhe të gjithë atyre që mbrojnë vendin, burimet për të cilat kanë nevojë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me Kongresin për këtë çështje”./Insajderi.com