SHBA, plane për shkurtim të ndihmave për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin

Presidenti Trump deklaroi se Guatemala ishte "duke u përgatitur për të nënshkruar" një marrëveshje që do t’i detyronte emigrantët që i largohen persekutimit në El Salvador dhe Honduras që të kërkojnë azil në Guatemalë në vend të Meksikës, apo Shteteve të Bashkuara.

SHBA, plane për shkurtim të ndihmave për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin

Një delegacion i Departamentit amerikan të Shtetit ishte javën e kaluar në Guatemalë për të kërkuar miratimin për protokollin e “vendit të tretë të sigurt”, që nëse nënshkruhet, do të ishte marrëveshja e parë e tillë midis Shteteve të Bashkuara dhe një vendi të Amerikës Latine.

Nuk ka patur ndonjë tregues publik nga Guatemala që marrëveshja të jetë pranë përfundimit.

Zoti Trump i bëri komentet në një seri twitesh mbrëmë vonë, ku ai e lavdëronte Meksikën për “vënien në zbatim të ligjeve të tyre të imigracionit” dhe për t’i ndihmuar imigrantët të ndalen përpara se të bëjnë udhëtimin deri në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump ka kërkuar prej kohësh zvogëlimin e numrit të emigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha gjithashtu se Agjencia amerikane e Imigracionit dhe Doganave do të fillojë javën e ardhshme të deportojë personat që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Më parë të hënën, administrata e Trump njoftoi planet për t’i prerë qindra milionë dollarë ndihma El Salvadorit, Guatemalës dhe Hondurasit.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se fondet për programet në këto vende nuk do të jepeshin, para se qeveritë e tyre të ndërmarrin veprime konkrete për të pakësuar numrin e emigrantëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara.