SHBA po i konsideron të rrezikshme për sigurinë kombëtare veturat gjermane

SHBA po i konsideron të rrezikshme për sigurinë kombëtare veturat gjermane

Presidenti amerikan Donald Trump ka kohë që ka kërcënuar me doganë ndëshkuese për importet e veturave nga Bashkimi Evropian. Tani, departamenti i Tregtisë në SHBA dorëzoi raportin për cenim të sigurisë kombëtare.

BE ashtu si Gjermania do të reagojë ndaj një ashpërsimi të mundshëm të grindjes tregtare me SHBA-në, shkruan DW.

“Bashkimi Evropian do ta mbajë fjalën, për sa kohë e bën këtë edhe SHBA-ja”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian para gazetarëve. BE ka interes të përmirësojë marrëdhëniet tregtare me SHBA-në, por ajo do të reagojë, nëse presidenti Trump vendos dogana ndëshkuese. Qeveria gjermane u shpreh me të njëjtat tone. Ministria e Tregtisë së SHBA është e mendimit, se importet e automjeteve nga Evropa rrezikojnë sigurinë amerikane. Mbetet të pritet, se çfarë do të bëjë Trump me këtë, sipas një zëdhënësi të qeverisë amerikane. Nëse Trumpi vendos dogana të reja, Gjermania dhe BE-ja do të përgjigjen së bashku.

Departamenti Amerikan i Tregtisë i ka dorëzuar presidentit Trump raportin mbi kërcënimin e sigurisë amerikane nga importet e automjeteve. Një zëdhënëse ka thënë, se nuk do të publikohen detaje. Trump ka 90 ditë kohë, që mbi këtë bazë të vendosë, nëse do të ngrejë doganat deri në 25% për importet e automjeteve. Por nuk dihet, nëse do të ndërmerret ky hap nga presidenti amerikan. Realisht bëhet fjalë për shumë para. Në vitin 2017 SHBA-ja ka importuar automjete dhe pjesë këmbimi në vlerë prej 340 miliardë dollarësh.

Kritikat shtohen

Vetë dega amerikane e industrisë së automjeteve është shprehur kundër doganave ndëshkuese, sepse ato do të ulnin në masë investimet në këtë degë. “Asnjë prodhues i kësaj dege në vend nuk e ka kërkuar një raport të tillë”. Automjetet e prodhuara jashtë SHBA do të shtrenjtoheshin me 5000 dollarë amerikanë, sipas informacioneve të konsulentit të informacionit, IHS Markit. Vetë automjetet e prodhuara në SHBA do të shtrenjtoheshin me 1800 dollarë, sepse të gjitha përmbajnë pjesë të importuara. Edhe tek politika amerikane plane të tilla ndeshin në kritika. Senatori republikan nga Ohio, Rob Portman u shpreh se “shpresoj që qeveria të lëvizë një hap mbrapa dhe t’i rimendojë edhe njëherë doganat për automjetet”.