SHBA, të enjten publikohet raporti Mueller i redaktuar

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do të publikojë të enjten një version të redaktuar të raportit prej gati 400 faqesh të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Donald Trump të fitonte presidencën.

SHBA, të enjten publikohet raporti Mueller i redaktuar

Presidenti Trump tha të hënën se ai tashmë rezulton i pastër nga çdo shkelje e lidhur me zgjedhjet, ndërkohë që ai vetë dhe publiku amerikan presin hollësitë e hetimit 22 mujor të zotit Mueller.

Presidenti tha në Twitter se zoti Mueller dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, bazuar në gjetjet e hetimit, “kanë përcaktuar tashmë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë, as pengim të drejtësisë.” Sipas tij, këto krime, janë kryer nga ish-rivalja e tij demokrate Hillary Clinton, transmeton VOA.

Zoti Mueller hetoi rreth kontakteve të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, si president, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Zoti Barr, i emëruar nga Presidenti Trump si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, tha javën e kaluar se beson që agjencitë amerikane të inteligjencës të kenë spiunuar ndaj fushatës Trump dhe po hapin një hetim për të parë nëse kjo akuzë ka bazë të mjaftueshme.