Shefi i BE-së në Kosovë: Kemi pritje të larta për zgjedhjet e 14 shkurtit

Shefi i BE-së në Kosovë: Kemi pritje të larta për zgjedhjet e 14 shkurtit

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se kanë pritje të larta nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Ai në Klan Kosova ka deklaruar se ata kërkojnë nga politikanët kosovarë që pas zgjedhjeve të jenë së bashku për formuar legjislaturën e re të Kuvendit dhe Qeverinë.

“Për zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen më 14 shkurt, ne kemi pritje të larta dhe janë bërë përgatitje të kujdesshme. Ne kemi katër çështje që iu kushtojmë vëmendje më shumë, përgatitja e duhur e zgjedhjeve, puna profesionale e të gjithëve që janë të përfshirë për organizimin e këtij procesi”.

“Ne duam që procesi zgjedhor të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi të Kosovës. Gjëja e dytë që ne presim është që votuesit të dalin dhe të votojnë, kjo është shumë me rëndësi për demokracinë në Kosovë që ata të dalin dhe të marrin pjesë”.

“Gjëja e tretë e rëndësishme për ne, do të jetë numërimi profesional dhe efikas i votave dhe certifikimi i tyre. Po ashtu, gjëja e katërt me rëndësi është që politikanët në Kosovë të formojnë një shumicë, e cila e formon legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, Qeverinë dhe më pas ata të punojnë me ne për të adresuar çështjet për të cilat përballet Kosova”, ka thënë Szunyog./Insajderi.com