Shefi i BE-së në Kosovë: Marrëveshjet kërkojnë ndryshime – nuk shoh diçka të keqe në atë që ka thënë Lajçak

Shefi i BE-së në Kosovë: Marrëveshjet kërkojnë ndryshime – nuk shoh diçka të keqe në atë që ka thënë Lajçak

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar sot me Komisionin për Integrim Evropian, me të cilët është biseduar të gjeturat e Raportit 2020 për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian dhe në pikën për dialogun, për çka Szunyog tha se nuk është bërë aspak progress në këtë drejtim.

Për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i BE-së në Kosovë, tha se ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës dhe se nuk sheh ndonjë ndalim për ngritjen e këtij mekanizmi.

“Kushtetuesja vetëm i cakton disa kufij, por në fund të vendimit thuhet që statusi i Asociacionit duhet t’i dërgohet Gjykata Kushtetuese. Pra, cili është statusi? Ku është statusi? Kosova duhet të angazhohet në këtë çështje. Ju vetë i keni nënshkruar marrëveshjet dhe përveç që është obligim ndërkombëtar është edhe obligim kushtetues i juaj. Askush nuk po ju shtynë me zor që të bëni diçka”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për deklaratën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, që tha se është logjike që Kushtetuta duhet ndryshuar për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, me çka Szunyog pajtohet plotësisht.

“Kur negocioni marrëveshje ndërkombëtare atëherë këto janë marr ligjërisht obligative. Nëse negocioni marrëveshje dhe nënshkruani atëherë bëhen ligjërisht obligative. Pastaj, ju i keni mekanizmat e juaj se si i inkorporoni në legjislacionin tuaj. Normal që marrëveshjet kërkojnë ndryshime dhe s’po shoh diçka të keqe në atë që ka thënë Lajçak.  Do të vjen koha që të dy vendet duhet të ndryshojnë kur të nënshkruajnë diçka”. /Insajderi.com